
Edicioni i dhjetë i Za Fest ka ngritur siparin në Muzeun Historik të Shkodrës, duke shënuar 10 vite të një festivali që është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në veri të vendit.
Mbrëmja hapëse iu kushtua letërsisë, ku poetja Mimoza Ahmeti dhe shkrimtarja Rita Petro ndanë me publikun reflektime mbi poezinë, procesin krijues dhe sfidat e letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Në kuadër të jubileut, organizatorët prezantuan edhe një dokumentar retrospektiv, i cili riktheu momentet më domethënëse të Za Fest, nga edicioni i parë i mbajtur në Theth deri te rrugëtimi që e ka shndërruar festivalin në një pikëtakim të rëndësishëm të artit, kulturës dhe natyrës.
Atmosfera artistike vijoi me koncertin e artistes Linda Rukaj, e cila mbylli natën e parë të festivalit.
Za Fest do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me aktivitete që ndërthurin muzikën, letërsinë dhe artin, duke sjellë në Shkodër artistë e krijues nga Shqipëria dhe rajoni.






