
Pas vitesh pritjeje, ka nisur investimi për rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës së Kalivaçit, në Njësinë Administrative Ungrej. Faza e parë e projektit përfshin segmentin Qafa e Pazarit – Ura e Mytenzës, me një gjatësi prej 2.7 kilometrash, ndërsa në vijim nderhyrja do të shtrihet edhe në pjesën tjetër të aksit deri në përfundimin e plotë të tij.Në terren për të inspektuar nisjen e punimeve ishte kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, i cili u takua me banorët e zonës dhe bëri të ditur se ky është një premtim i mbajtur ndaj komunitetit. Sipas tij, janë mbi 150 investime të planifikuara të nisin në periudhën në vijim, me fokus përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve dhe cilësisë së jetës për qytetarët.
Banorët e Kalivaçit e mirëpritën nisjen e investimit, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të shumëpritur, pasi prej vitesh përballeshin me vështirësi të mëdha në qarkullim për shkak të gjendjes së amortizuar të rrugës.
Ky investim është pjesë e programit të Bashkisë Lezhë për rehabilitimin e rrugëve rurale, me synim lidhjen më të mirë të fshatrave me qendrat administrative dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e zonave.






