Ka nisur një investim i rëndësishëm për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm në zonën turistike të Shëngjinit. Rritja e kapacitetit dhe zhvillimi i turizmit e kanë bërë të domosdoshme këtë ndërhyrje, pasi ujësjellësi aktual nuk përmbushte kërkesat e konsumatorëve, ndërsa Kune dhe Rana e Hedhun nuk ishin pjesë e rrjetit të furnizimit.

Aktualisht, po realizohet faza e parë e investimit, e cila ka në fokus shtimin e kapacitetit të furnizimit, duke synuar një zgjidhje të menjëhershme brenda këtij sezoni turistik. Sipas nënkryetarit të Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, faza e dytë e projektit do të shtrihet edhe në zonat që deri tani nuk kanë qenë të lidhura me rrjetin e ujësjellësit, si Kune dhe Rana e Hedhun, dy destinacione në zhvillim të shpejtë.

Përveç furnizimit me ujë, investimi do të pasohet nga ndërhyrje në infrastrukturën mbi tokësore, të cilat, sipas Zefit, do të realizohen me fondet e bashkisë.

Ky investim është pjesë e një projekti më të gjerë të financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Gjermane KfË. Brenda dy viteve të ardhshme, do të realizohen edhe ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit, si dhe në kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, për të garantuar një infrastrukturë moderne dhe funksionale për Shëngjinin.

Artikulli paraprakQYTETARËT: RREZIKOHEMI NGA NDËRTESAT E VJETRA
Artikulli tjetërVLLAZNIA NË FOKUSIN E “STAR SPORT”