Pas më shumë se tre muajsh nga mbyllja, ka nisur ndërhyrja emergjente në urën e Matit, e cila u dëmtua rëndë për shkak të problemeve në këmbët mbajtëse dhe në strukturë. Punimet, me një vlerë prej 107 milionë lekësh, financohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kanë filluar prej disa ditësh, me praninë në terren të punëtorëve dhe mjeteve të rënda.Ndërhyrja parashikon pastrimin e pilotave të themeleve në një lartësi prej 1.5 deri në 2.5 metra, mbrojtjen e pilotave të dëmtuara dhe forcimin e zonave ku ka ndodhur gërryerja. Gjithashtu, do të realizohet përforcimi dhe mbrojtja e themelit të pilës dhe ballit të urës përmes krijimit të një qilimi me blloqe të lidhura gabioni, për të parandaluar dëmtime të mëtejshme.
Projekti fillestar i urës mban datën 24 prill 1979, i hartuar nga Instituti i Projektimeve Nr. 2, si pjesë e projektit “Hekurudha Laç–Shkodër–Kufi”, që përfshinte një urë të përbashkët hekurudhore dhe automobilistike mbi lumin Mat.Megjithatë, shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumit për inerte dhe mungesa e mirëmbajtjes ndër vite sollën dëmtime të shumta në urë, duke detyruar autoritetet ta mbyllin për qarkullimin e automjeteve që prej muajit korrik.Mbyllja e saj krijoi kaos në lëvizje, veçanërisht gjatë sezonit veror, pasi aksi i vjetër Lezhë–Milot shërben edhe si rrugë alternative për lehtësimin e trafikut në superstradë.Ndërhyrja emergjente pritet të përfundojë brenda një kohe të shkurtër, duke hapur rrugën për rikthimin e qarkullimit normal të automjeteve mbi lumin Mat.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprak“MARKATA E MISHIT” QYTETARËT KËRKOJNË TË REHABILITOHET
Artikulli tjetërKËRKESA PËR PËRJASHTIMIN E BALLËS PËR FYERJE, SOCIALISTËT RRËZOJNË PD-NË: KA KËRKUAR FALJE PUBLIKE NË SEANCË