
E marta e 17 marsit shënoi nisjen e pelegrinazhit 13-javor në kishën e “Shna Ndout” në Laç. Që në orët e para të mëngjesit, qindra besimtarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga jashtë vendit, iu drejtuan këtij vendi të shenjtë për të adresuar lutjet e tyre për shëndet, paqe dhe mirësi në familje.
Sipas pelegrinëve, kisha e Laçit njihet për mrekullitë dhe shpresën që u ka dhënë ndër vite njerezve, çka e bën atë një nga vendet më të frekuentuara të besimit në vend.
Ky pelegrinazh zhvillohet çdo të martë për 13 javë radhazi, deri më 13 qershor, datë që shënon Festen e Shna Ndout. Për mbarëvajtjen e këtij rituali fetar, policia në bashkëpunim me Bashkinë e Kurbinit ka hartuar një plan masash, ndersa që në ditën e parë u vu re një fluks i lartë automjetesh dhe trafik i rënduar në akset që të çojnë drejt kishës.






