Pas më shumë se 1 vit në rënie, në muajin mars është rritur me 78,6% numri shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri. Në total në vend në këtë muaj kanë hyrë 170.279 shtetas nga 95.321 qytetarë që erdhën në mars të 2020.

Përpos këtij përmirësimi në muajin e kaluar, si tremujor fluksi i turistëve është përsëri në rënie. Sipas raportit nga janari në mars në territorin tonë kanë hyrë është 513.781, duke rënë me 10,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Sipas të dhënave të INSTAT në muajin e tretë të këtij viti përveç hyrjeve nga Gjermania, Greqia dhe Anglia që ishin në rënie, lëvizjet me të gjitha shtetet e tjera ishin në rritje, ku numri më i lartë ishte nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë si tremujor Greqia e ka rënien 83.5% për shkak të masave kufizuese që aplikohen atje dhe më pas dhe Anglia me 70,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kjo për shkak edhe të ndalimit të fluturimeve drejt këtij shteti nga Shqipëria.

Në këtë periudhë të parë të vitit më shumë qytetar kanë ardhur në rrugë tokësore, ndjekur nga ato ajrore dhe në fund nëpërmjet detit. Këto të dhëna janë edhe tregues pozitiv që rrisin edhe pritshmëritë për sezonin turistik të këtij viti.

Ndikim në përmirësimin e shifrave do ketë në vijim edhe procesi i vaksinimit, pasi qeveria ka premtuar 500 mijë vaksina deri në fund të majit, që për operatorët turistik është shumë pozitive pasi e klasifikon Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta për virusin.