
Pas më shumë se 30 vitesh pritje, për banorët e lagjes “Mark Lula” dita e sotme shënon një kapitull të ri për përmirësimin e infrastrukturës në zonë. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës “Roza Lejn” dhe degëzimeve të saj në lagjen “Mark Lula”, një investim që i jep fund pritjes shumëvjeçare të banorëve të kësaj zone.
Ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor përfshin ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve, asfaltimin dhe ndriçimin e plotë të 1.6 km rrugësh të brendshme, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për mbi 2 000 banorë
Projekti realizohet përmes një bashkëfinancimi mes Bashkisë Shkodër dhe Qeverisë Shqiptare, dhe synon transformimin e një zone që për dekada ka qenë jashtë vëmendjes së investimeve publike. Investimi parashikon ndërhyrjen në rrjetin e kanalizimeve në të gjithë zonën, asfaltimin dhe ndriçimin e plotë të këtij segmenti rrugor në qytetin e Shkodrës.






