
Rruga e varrezave të qytetit prej disa ditësh është përfshirë në një rikonstruksion të plotë. E trajtuar si shqetësim i banorëve, ky segment rrugor brenda 2 muajsh pritet të përfundojë. Për të inspektuar nga afër punimet ka qenë vetë Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili u shpreh se me këtë investim nga buxheti i Bashkisë Shkodër zgjidhet një herë e mirë një problematikë e mbartur në vite për banorët e zonës, të cilët shfrytëzonin këtë segment rrugor për t’u lidhur me rrugën kryesore.
Paralelisht me këtë segment, në brendësi të varrezave të qytetit, Bashkia Shkodër po punon edhe në një tjetër segment që zgjidh qarkullimin dhe aksesin e banorëve të zonës në fshatin Golem me rrugën kryesore “Pjetrushi”. Me përfundimin e këtyre dy investimeve infrastrukturore merr fund edhe shqetësimi i ngritur prej 20 vitesh i banorëve, të cilët përballeshin me gropa të mëdha uji dhe mungesë infrastrukture për të çuar fëmijët në shkollë apo për komunikimin e banorëve me rrugën nacionale.






