Nis seanca plenare e Kuvendit të ri. Sot, 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit u ulen në sallën e Kuvendit për të shënuar nisjen zyrtarisht të kësaj legjislature. Siç e përcakton edhe rregullorja e Kuvendit, drejtues i seancës së parë plenare u bë deputetja më e vjetër në moshë, Luljeta Bozo, nga radhët e PS-së.

Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Seanca e dytë do të nisë në orën 17:00.

Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjislaturë. Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë.

Kujtojmë se mbrëmë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, deri në zbardhjen e plotë të vendimit të DASH, e ku të sqarohet e gjithë e vërteta.

Basha tha se PD është partia më proamerikane dhe më proevropiane duke folur dhe për vendimin e DASH për ish-kryeministrin dhe ish-kreun e PD Sali Berisha si dhe kërkesën e ambasadores amerikane Yuri Kim. Nga ana tjetër, dje në një dalje për mediat Berisha konfirmoi pjesëmarrjen e tij në Kuvend.