Pas rreth tetë vitesh pritje, ka nisur ndërhyrja për shkatërrimin e shkëmbinjve në malin e Torovicës, në Lezhë, të cilët prej kohësh përbënin rrezik serioz për banorët dhe përdoruesit e rrugës. Operacioni po zhvillohet nga Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile në Bashkinë Lezhë dhe Policinë e Shtetit. Fillimisht po kryhet vendosja e rrjetave mbrojtëse pranë shkëmbinjve, dhe më pas do të vijojë shpërthimi i kontrolluar i tyre.
Kjo ndërhyrje synon të zgjidhë një problematikë të hershme, e cila ishte kthyer në një rrezik të vazhdueshëm për zonën.
Nga ana tjetër, kryeplaku i Torovicës e cilëson ndërhyrjen si të domosdoshme, por kërkon që ajo të shtrihet në të gjithë malin përgjatë rrugës së Torovicës.
Në vitin 2017, rënia e një shkëmbi në aksin rrugor Balldre–Torovicë goditi një automjet, duke shkaktuar humbjen e jetës së dy vëllezërve dhe bashkëshortes shtatzënë të njërit prej tyre. Që prej asaj kohe, rreziku nga shkëmbinjtë ishte evidentuar, por ndërhyrja konkrete erdhi vetëm pas tetë vitesh.

Artikulli paraprakFORUMI, GJITHËPËRFSHIRJE DHE MJEDIS TË AKSESUESHËM
Artikulli tjetër“ÇMIMET E BORDIT NËN KOSTO”, IMPORTUESIT KRYESORË NË VEND PARALAJMËROJNË KUFIZIME: NUK DO TË MARRIM MË NAFTË