Besimtarët myslimanë kanë nisur sot agjërimin në Muajin e Ramazanit, për të dytin vit radhazi nën izolim dhe masa të tjera kufizuese që janë vendosur me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Kryeministri Ed Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook, i ka uruar sot të gjithë besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë.

“Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”, shkruan Rama.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu i uroi dje të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë, ndërsa bëri apel që ky të jetë muaji i faljes, mëshirës dhe mirëkuptimit.

Vlera e muajit të Ramazanit është e madhe për myslimanët, sepse pikërisht në këtë muaj ka filluar zbritja e Kur’anit. Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët.

Besimtarët nuk hanë ushqim dhe nuk pinë ujë deri në perëndimin e diellit, duke iu përkushtuar vetes edhe më shumë se zakonisht adhurimit të Zotit dhe frenimit të egos.

Agjërimi nis me lindjen e diellit dhe përfundon me perëndimin e tij.