Ditën e sotme do të nisë në Shqipëri vaksinimi i personave të parë anti-COVID! 11 janari i 2021 do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për vendin në rrugën për t’i dhënë fund betejës disa mujore me COVID-19. Procesi do të nise kete te hene, teksa është parashikuar edhe një konferencë nga Ministria e Shëndetësisë ku do të japë më shumë detaje.

Nën moton ‘Shqipëria buzëqesh”, vaksinimi do të realizohet në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe radhëve të gjata! Në të gjithë ambientin e stadiumit janë vendosur 60 postacione ku do të kryhet vaksina dhe puna do të vijojë për 8-10 orë në ditë. Në total është parashikuar vaksinimi i 60 qytetarëve në orë.

Bluzat e bardha, që janë në vijën e parë të përballjes me COVID do të jenë të parët që do të vaksinohen, për të vijuar më pas me mësuesit, policët dhe moshat madhore mbi 75-vjeç. Zyrtarisht Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza vaksine anti-COVID të Pfizer nga kompania BioNTech, teksa siç ka bërë të ditur më herët Rama, vijojnë bisedimet me Astrazeneca dhe Moderna. Një person do të marrë në total 2 doza.

Theksojmë se vaksinimi është falas dhe jo me detyrim.

Kryeministri Edi Rama ka bërë një përmbledhje të luftës së Shqipërisë përballë COVID, teksa shkruan se sot me nisjen e vaksinimit lufta ndaj armikut të padukshëm hyn në fazën e ofensivës së madhe për largimin e tij përfundimtar.

“Mirëmëngjes dhe pak orë nga nisja e fushatës së vaksinimit Shqipëria Buzëqesh duke ju marrë pak minuta nga koha juaj, për të hedhur vështrimin pas në orët, minutat, ditët, javët e muajt e jashtëzakonshëm të luftës me Armikun e Padukshëm, e cila sot hyn në fazën e ofensivës së madhe për largimin e tij përfundimtar nga jeta jonë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në luftën ndaj COVID-19

771 mjekë në vijën e parë
1936 infermierë e laborantë
134 epidemiologë
979 staf mbështetës
3500 vullnetarë
6 milion mjete mbrojtëse për stafin mjekësor
4 laboratorë për testim
51 pika të testimit të shpejtë në komunitet
507 respirator
550 shtretër në 4 spitalet COVID
1600 shtretër për spitalet rajonale COVID