Sot nis zyrtarisht procesi për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, ndërsa ende nuk ka asnjë emër kandidati zyrtar për kreun e ri të shtetit. Në orën 12:30, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve si vijim i mbledhjes për fillimin e procedurave dhe përcaktimin e datës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha një ditë më parë se nuk do të shkojnë në Konferencën e Kryetarëve për negociata me mazhorancën. Ai u shpreh se të gjithë duhet të marrin pjesë në proces, duke theksuar se diskutime dhe negociata do të ketë vetëm me aleatët. Sipas Alibeajt, nesër në Konferencën e Kryetarëve do të shkojë bashkë me Gjakmarkajn, Dumën, Mediun dhe Dodën.

‘Nëser nuk është negociatë, nesër është konferenca e kryetarëve, ku kryetari i grupit parlamentar merr pjesë. Nesër ka thjesht konferencë kryetarësh. Nuk ka lidhje për negociatë. Negociata do ketë me aleatët. Nesër shkoj në konferencën e kryetareve së bashku me anëtarët, Gjakmarkaj, Duma, Mediu dhe Doda dhe zonja tabaku që për momentin nuk ndodhet këtu. Në mbledhjen e kaluar, secili nga deputetët ka artikuluar kërkesat e veta si e imagjinojnë ata figurën e presidentit.’- tha Alibeaj.

Nga ana tjetër kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha në mbledhjen e kaluar të Konfrencës së Kryetarëve se data e raundit të parë të votimit duhet të jetë 16 maji, kur edhe do të përcaktohen të gjitha afatet e tjera si dorëzimi i kandidaturave, dokumentacioni etj.

Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t’u diskutuar më tej mes vetë maxhorancës, grupeve të tjera parlamentar dhe shoqërisë civile. Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.

Artikulli paraprakSHKODËR, 39-VJEÇARI BIEN NË KONTAKT ME RRYMËN, HUMB JETËN
Artikulli tjetërSHTRENJTOHET ÇMIMET E PRODUKTEVE TË SHPORTËS, BUKA, VAJI, BULMETI DHE SHEQERI RRITJE VJETORE NGA 14% -24% NË PRILL