Pas firmosjes me klubin Vllaznia trajneri Thomas Brdariç nuk ka humbur kohë duke nisur menjëherë seancat stërvitore për përgatitjen e skuadrës për pjesëmarrjen në Konferencë League por edhe për sezonin e ardhshëm. Tekniku Brdariç pas firmosjes me kuqeblutë edhe për një sezon tjetër u shpreh se vendosi të qëndrojë në Shkodër pas plotësimit të disa kushteve dhe se Vllaznia për të është diçka speciale

“Vllaznia është diçka speciale. Ne arritëm te fitonim një trofe vitin e kaluar dhe jemi rritur në një nivel të cilin e meritojmë dhe për të vazhduar kështu është një sfidë dhe gjëja më e rëndësishme është të shkojmë në këtë betejë si një skuadër. Kam pasur disa mundësi që të ndryshoj klubin, por ju thashë edhe më parë që Vllaznia është diçka speciale dhe kur të dua të bëj një hap më përpara do ta bëj me Vllazninë”.

Tekniku Brdariç flet edhe për merkaton duke thënë se tashmë ka nisur puna në disa drejtime për të zëvendësuar ata lojtarë që do të largohen nga Vllaznia.

“Mendoj që jemi akoma në një fazë që jemi duke u ndërtuar. Nuk jemi akoma në gjendje që të krahasohemi me skuadra të mëdha në Europë. Duhet të dimë që ne jemi tek Vllaznia dhe jemi një skuadër që po, jemi rritur vitin që kaloi dhe arritëm rezultate të mira dhe kështu duhet të vazhdojmë.

E dimë që do të jetë e vështirë por dua që t’i bëjmë ballë me skuadrën time, kjo është ajo që duhet të bëjmë. Ne jemi rritur dhe ky është ekipi im, është një proces që duhet bërë. Ne jemi duke punuar në disa drejtime, por rëndësi ka që të mbajmë lojtarët, të kemi një të ardhme profesionale, por sigurisht që do shohim edhe tregun.

Në kampionat kemi për qëllim të mbajmë profesionalizmin, të jemi në vendet e larta dhe le të ëndërrojmë pse jo. Nuk e di sa mungesa kemi, disa kanë dëmtime, por është gjë e mirë për lojtarët që kemi sot”.

Pjesëmarrja e Vllaznisë në Konferencë League i duket si diçka e pabesueshme trajnerit Brdariç.

“Është një sfidë e bukur për Vllazninë të përballet me ekipe në Europë. Është diçka e pabesueshme. Në kushtet që ishim thonit që ‘a jeni të çmendur?!’ Do përballemi me këdo që të na bjerë shorti. Mendoj që një objektiv i mirë është të mbajmë profesionalizmin, të shkojmë vitin tjetër edhe një herë në Europë”.

Një arsye më shumë që Brdariç ka zgjedhur Shkodrën është edhe fakti se në këtë qytet ka shumë tifozë të Gjermanisë dhe kampionati europian i futbollit i shijon më shumë në Shkodër.

“Kjo është një pikë që e pelqej. Shumë bukur të di që në shkodër e pelqejnë futbollin gjerman e gjermanët”.

Në stërvitjen e parë të Vllaznisë munguan 10 futbollistë në total duke nisur nga Dilaver, Isaevski, Imeri, Avdiaj, Cisse, Alomi, Marku, Shehu të cilët mundet që të mos jenë më pjesë e kuqebluve si dhe munguan edhe Da Silva dhe Jonuzi të cilët janë nën kontratë dhe kanë njoftuar.

Në stërvitjen e parë është në provë një mbrojtës i majtë nga Brazili si dhe futbollisti shqiptar Van Basten Çema. Vllaznia pritet që fazën përgatitore ta bëjë në Zllatibor të Serbisë.

Artikulli paraprakVLLAZNIA, SPONSORI: KËRKESA E BRDARIÇ INFRASTRUKTURA
Artikulli tjetërVLLAZNIA BOKS, ZEF GJONI: KTHIMI NË SHOQATË PO NA DËMTON