Nishani shpërthen kundër Ramës: I paqytetëruar, më ka sulmuar dhunshëm dhe me gjithë pushtetin

Një sulm të dhunshëm, të egër dhe të paqytetëruar e vlerëson presidenti Bujar Nishani, qëndrimin që qeveria e majtë ka pasur ndaj tij. Në një intervistë kreu i shtetit thotë se sulmi i kryeministrit Edi Rama ka qenë sistematik ndaj tij. Kreu i shtetit ka theksuar se “për fat të keq bashkëpunimi ndërinstitucional ka probleme, çka e dëmton shtetin tonë. Kur Kryeministri bojkoton mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, imagjinoni se çfarë ndikimesh negative ka në tërë piramidën zbritëse të institucioneve të shtetit ky gjest kryeministror, pa dyshim më i keqi shembull i dhënë në këto 25 vite nga një instancë kaq e lartë. Jo vetëm pse ndodh për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, por veçanërisht për shkak të imazhit të keq që bojkotimi në fjalë na përhap në botë”. Ndersa lidhur me marredheniet institucionale me Kryeministrin Rama, Nishani ka thene se nuk kane qene thjeshte konfliktuale :“Nuk ka qenë konflikt. Ka qenë një atak i dhunshëm, i egër, i paqytetëruar i Kryeministrit ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës. E para herë në historinë e shtetit tonë që ndodh në këtë masë dhe në këtë formë kaq të paramenduar, të organizuar dhe sistematike. Institucioni i Presidentit nuk ka patur kurrë qëllim, as arsye, as mekanizma, për të bërë sulme ndaj qeverisë apo Kryeministrit. Përkundër, ka qenë pareshtur nën sulmin dhe goditjet publike të tyre. Dita e parë dhe gjesti i parë i Kryeministrit ishte heqja e fotos së Presidentit nga protokolli i Shtetit Shqiptar. Nuk ishte thjesht një akt që dhunonte Kushtetutën e vendit, por edhe fillimi i zbatimit të një sjelljeje institucionale që do të pasonte të gjitha vitet më pas me një qëllim të vetëm: Delegjitimitetin e Institucionit të Presidentit të Republikës. Për këtë u angazhua i gjithë pushteti, të gjitha mekanizmat e pushtetit dhe të gjithë aleatët e mundshëm të Kryeministrit. Megjithatë arritëm ta ruajmë të pastër dhe të paprekur dinjitetin, integritetin, imazhin e Institucionit dhe të shtetit”, ka deklaruar Nishani.