Nishani me njerëzit e letrave: Kolona kulturore që frymëzon shoqërinë

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani ka pritur sot shkrimtarë, botues, përkthyes, studiues e akademikë të librit në gjuhën shqipe, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Diaspora si dhe nga trevat shqiptare e vende të ndryshme të botës kudo ku jetojnë e punojnë, pjesëmarrës në Panairin e Librit 2016. Nishani u shprehu të ftuarve kënaqësinë për këtë takim, duke vlerësuar punën e të pranishmëve si dhe të kolegëve të tyre, nismat dhe frytet e mendjes, penës dhe kapaciteteve intelektuale të tyre, veçanërisht për edukimin e brezit të ri dhe afrimit me leximin dhe nxënien, si një investim i madh për ruajtjen dhe pasurimin e fondit të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar duke u kërkuar që ta promovojmë më tej këtë kontribut të vyer. Nishani: Botimet e çdo zhanri në përgjithësi, por libri i mirëfilltë letrar në veçanti janë investimi i madh për të mbajtur gjallë e pasuruar edhe më shumë njërën prej pasurive më të mëdha që kemi, atë që ka përcaktuar identitetin tonë si komb, atë që është shenja jonë dalluese në familjen e madhe të kombeve: gjuhën tonë të lashtë e amtare, gjuhën shqipe, ndër më të lashtat e më vitalet e njerëzimit. Njëri prej poetëve tanë më të vyer, At Gjergj Fishta, pati shkruar dikur postulatin e famshëm ‘Mallkuar qoftë ai bir shqiptar që në gjuhë të huaj flet pa qenë nevoja!’ Në ditët e sotme, kur bota globale nganjëherë sikur na merr përpara me ritmin e saj frenetik, duke na bërë që të mos kujdesemi edhe aq shumë për visarin tonë më të çmuar kombëtar – gjuhën shqipe, – vërej me shqetësim se gjuha që përdorim çdo ditë, gjuha që flasim e lexojmë e shkruajmë çdo ditë, gjuha që dëgjojmë përnatë në debate e diskutime, ka pësuar përçudnime dhe huazime të panevojshme. Presidenti Nishani duke i përgëzuar botuesit në emër të së sotmes dhe së ardhmes për faktin se veprat e tyre nuk janë prekur nga ky fenomen negativ i huazimeve të panevojshme.