
Është riatdhesuar drejt vendit të origjinës nga Qendra e Riatdhesimit në Gjadër, emigranti i parë i huaj që qëndronte në këtë strukturë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrin i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, përmes një postimi në Facebook.
“Riatdhesimi i parë nga Shqipëria i një shtetasi të huaj në Qendrën e Riatdhesimit Gjadër. Operacionet e riatdhesimit të emigrantëve të parregullt do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, siç parashikohet nga strategjia e qeverisë për një veprim më efektiv për të luftuar imigracionin e paligjshëm,” njoftoi ministri italian.
I riatdhesuari është një 42-vjeçar nga Bangladeshi, i ardhur në Itali në vitin 2009 dhe i dëbuar për shkak të rrezikut social. Ai ka disa dënime të mëparshme, duke përfshirë një episod të rëndë të dhunës në familje.
40 emigrantëve, që mbërritën në Shëngjin me anije ‘Libra’ me 11 prill, u është refuzuar azili në Itali, pasi janë konsideruar kontingjent kriminal. 39 të tjerët do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit derisa të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës. Afati maksimal i qëndrimit në Shqipëri do të jetë 18 muaj.
Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte konceptuar për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit e shpëtuar në det nga anijet italiane. Por me dekretin e ri të qeverisë Meloni, “Gjadri” do të shërbejë si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë azili dhe presin deportimin në vendet e origjinës.