Si pasojë e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, autoritetet kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga Hidrocentrali i Komanit dhe ai i Vaut të Dejës. Aktualisht, nga këto vepra energjetike po shkarkohet një sasi prej rreth 900 metra kub ujë në sekondë, përveç sasisë që shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave zyrtare, shkarkimet po kryhen në mënyrë të monitoruar dhe të menaxhuar nga specialistët e hidrocentraleve, me qëllim garantimin e sigurisë së digave dhe kontrollin e niveleve të liqeneve.
Bashkia Shkodër bën me dije se është në koordinim të vazhdueshëm me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare për ndjekjen e situatës hidrike dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e banuara në territorin e bashkisë. Deri në këto momente, nuk raportohet për problematika apo rrezik për përmbytje.
Sipas të dhënave teknike të përditësuara më 6 janar 2026, në orën 12:00, kuota e liqenit të Vaut të Dejës është 75.17 metra, ndërsa prurjet totale arrijnë në 1 mijë e 713 metra kub në sekondë, nga të cilat rreth 400 metra kub janë prurje anësore.
Aktualisht janë në punë pesë agregate me një ngarkesë totale prej 225 megavat. Shkarkimi nga turbinat është 525 metra kub në sekondë, ndërsa nga portat 900 metra kub, duke e çuar shkarkimin total në 1 mijë e 425 metra kub në sekondë. Ndërkohë, nga Hidrocentrali i Komanit raportohet një shkarkim total prej 1 mijë e 300 metrash kub ujë në sekondë.
Autoritetet bëjnë apel për ndjekje të informacionit zyrtar dhe theksojnë se situata vijon të jetë nën kontroll..

Artikulli paraprakEDI RAMA: VIJOJNE SHKARKIMET E KONTROLLUARA NGA HEC KOMAN DHE HEC VAU I DEJES
Artikulli tjetërRESHJE DËBORE DHE SHIU, PROBLEME NË ZONAT MALORE