Presidenti i Republikës Bajram Begaj, uroi çeljen e vitit të ri akademik nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në mesazhin e tij drejtuar studentëve dhe pedagogëve, Presidenti Begaj bëri apel që qasja ndaj arsimit të lartë në Shqipëri duhet t’i përshtatet ndryshimeve teknologjike dhe duhet të ketë si synim ndërtimin e një vendi më të drejtë, më të përparuar e më të zhvilluar.
Kreu i Shtetit deklaroi para auditorit në këtë fillim të vitit të ri akademik se të rinjtë janë gjenerata e së ardhmes së Shqipërisë dhe se studimet universitare nuk duhet të synojnë vetëm një diplomë, por të shfrytëzohen si mundësi për dije, përkushtim dhe përgjegjësi.

“Arsimi i lartë, – theksoi Presidenti Begaj, – nuk është vetëm një derë drejt një profesioni, por është çelësi për të kuptuar botën, për të marrë dije të thella që japin zgjidhje përballë sfidave”.
Në mesazhin e tij, Presidenti i Republikës inkurajoi pedagogët të ofrojnë për të rinjtë mundësi për një arsim cilësor dhe studentët i këshilloi të investojnë dijet e tyre në Shqipëri për të qenë udhëheqësit e së ardhmes.

Artikulli paraprakNIS SOT VITI I RI AKADEMIK, STUDENTËT I DREJTOHEN AUDITORËVE
Artikulli tjetërBENET BECI: VIT TË MBARË DHE TË SUKSESSHËM PËR TË GJITHË STUDENTËT