
Me nisjen e vitit të ri shkollor 2025-2026, Policia e Shtetit ka prezantuar një plan të detajuar masash për garantimin e sigurisë në dhe përreth shkollave.
Drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli, deklaroi se do të ketë prezencë të shtuar të Policisë Rrugore dhe patrullave të ndryshme pranë institucioneve arsimore. Masat përfshijnë kontrollin e automjeteve që transportojnë nxënësit, kontakt të përditshëm me drejtuesit e shkollave dhe ndërhyrje të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Gjithashtu, në bashkëpunim me institucione të tjera, do të mbyllen pikat e shitjes që përbëjnë rrezik për nxënësit. Policia garanton prindërit dhe qytetarët për angazhim maksimal në mbrojtje të fëmijëve gjatë gjithë vitit shkollor. Ndërsa, për sigurinë ushqimore të fëmijëve, do mbyllen pikat ambulante.
Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Drejtues Agron Çeli, deklaratë për median për marrjen e masave, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në institucionet arsimore publike dhe jopublike, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2025-2026 dhe në vazhdim:
Përshëndetje dhe faleminderit për praninë tuaj sot, për të informuar qytetarët dhe prindërit, për masat e marra nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me aktorët e tjerë që i ngarkon ligji për sigurinë në shkolla.
Me qëllim marrjen e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e ngjarjeve kriminale, të aksidenteve rrugore në shkolla dhe përreth tyre, në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, më datë 8 shtator 2025, dhe në vazhdimësi gjatë gjithë vitit shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në mbështetje të ligjit ”Për Policinë e Shtetit” dhe të rregullores së Policisë së Shtetit, të miratuar me VKM, si dhe në përmbushje të detyrave të përcaktuara në Paketën për Sigurinë në Shkolla, ka nxjerrë një urdhër të posaçëm, në zbatim të të cilit u hartua plani i detajuar i masave me detyra konkrete për të gjitha strukturat e Policisë të angazhuara për sigurinë në shkolla.
Për zbatimin e këtij plani do koordinohen veprimet me Policitë bashkiake, oficerët e sigurisë në shkolla, drejtuesit e shkollave, qeveritë e nxënësve, bordet e prindërve, si dhe me AKU-në. Ndërkohë drejtuesit e drejtorive vendore, komisariateve dhe stacioneve të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm, hartuan plane masash për shërbimet e kontrollit të territorit me detyra konkrete që do të kryejnë punonjësit e Policisë që do të ngarkohen me shërbime për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në shkollat 9-vjeçare, të mesme por dhe ato të larta kur të fillojë viti i ri akademik.
Komisariatet dhe Stacionet e Policisë, për shkollat që kanë në juridiksion, do sigurojnë prezencë policore me shërbimet e kontrollit të territorit, me Ndihmës/specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale, duke planifikuar, organizuar dhe kryer shërbime në bashkëpunim me Policitë bashkiake në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit dhe të mbarimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla.
Policia Rrugore do të ketë një prani të shtuar në akset rrugore, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen pranë rrugëve kryesore, si në fillim ashtu edhe në përfundim të procesit mësimor. Do të kryhen kontrolle të vazhdueshme dhe rigoroze për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve.






