
Shuma e siguruar e depozitave në institucionet financiare pritet të rritet në nivelin e 6 milionë lekëve brenda vitit 2027. Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) u shpreh të martën gjatë raportimit të Kuvendin e Shqipërisë, se po punon për përgatitjen e projektligjit që do të mundësojë përafrimin e legjislacionit shqiptar për sigurimin e depozitave me direktivën përkatëse europiane.
Një nga çështjet kryesore në përafrimin e legjislacionit do të jetë edhe niveli maksimal i sigurimit të depozitave. Me ligjin aktual, ASD siguron depozitat bankare deri në shumën e 2.5 milionë lekëve dhe depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit deri në shumën e 2 milionë lekëve. Direktiva e Bashkimit Europian 49/2014 kërkon që vlera e sigurimit të depozitave në vendet anëtare të jetë të paktën 100 mijë euro.
Megjithatë, rritja e menjëhershme me afërsisht katër herë e nivelit maksimal të mbulimit të depozitave do të ishte e vështirë. Për këtë arsye, ASD projekton një rritje me dy etapa.
Me ligjin e ri “Për sigurimin e depozitave”, që parashikohet të dërgohet për miratim brenda vitit 2026 ose fillimit të vitit 2027, do të ketë një rritje të ndërmjetme të shumës së mbulimit të depozitave, nga 2.5 milionë lekë në 6 milionë lekë. Në një etapë të dytë, në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, shuma maksimale e sigurimit të depozitave do të rritet në kufirin e parashikuar në direktivë, prej 100 eurosh.
Informacioni i ASD tregon se aktualisht 95% e depozitave të siguruara me ligj kanë një vlerë brenda nivelit maksimal të mbulimit, prej 2.5 milionë lekësh. Vlerësohet se me rritjen e nivelit maksimal në 6 milionë lekë, përqindja e depozitave të mbuluara do të rritet në 98%.
Një përfarim tjetër i domosdoshëm me direktivën e BE-së do të jetë mënyra e llogaritjes së primit të sigurimit që paguajnë subjektet anëtare të skemës së sigurimit të depozitave.
Sipas ligjit, për të gjitha bankat tregtare në skemë, primi tremujor i sigurimit përllogaritet në mënyrë uniforme, si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara. Për SHKK-të primi tremujor i sigurimit është 0,075% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara. Direktiva e BE-së kërkon që primi i sigurimit të llogaritet bazuar mbi nivelin specifik të rrezikut të secilit subjekt anëtar të skemës.
ASD bën të ditur se e ka përgatitur tashmë metodologjinë e re për llogaritjen e primit të sigurimit të depozitave me bazë rreziku. Megjithatë, aplikimi i kësaj metodologjie mund të fillojë vetëm pas të jenë miratuar ndryshime e nevojshme në ligjin “Për sigurimin e depozitave”.






