
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” shënoi këtë 9 Maj dhjetëvjetorin e inaugurimit të tij, duke përkujtuar një dekadë aktivitetesh kushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë fotografike shqiptare.
I hapur në Ditën e Europës në vitin 2016, muzeu u konceptua jo vetëm si një hapësirë arkivore, por si një institucion kulturor ku fotografia shërben si dëshmi historike, kujtesë kolektive dhe mjet reflektimi mbi zhvillimet shoqërore ndër vite.
Përvjetori përkon edhe me ditëlindjen e Gegë Marubi, fotografit të fundit të Dinastisë Marubi, i cili luajti një rol kyç në ruajtjen e koleksioneve fotografike të Shkodrës, duke i shpëtuar ato nga humbja dhe duke vendosur themelet e arkivit më të rëndësishëm fotografik në vend.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, muzeu është kthyer në një qendër aktive dialogu mes historisë dhe artit bashkëkohor. Institucioni ka organizuar rreth 40 ekspozita, mbi 60 konferenca, biseda dhe ture kulturore, si dhe afro 200 punëtori dhe masterklasa edukative për publikun dhe të rinjtë.
Një nga dimensionet kryesore të punës së muzeut ka qenë konservimi dhe zgjerimi i arkivit fotografik. Nga rreth 493 mijë negativë që numëronte fondi një dekadë më parë, sot arkiva i afrohet 543 mijë fotografive, ndërsa afro 80 për qind e materialit është konservuar sipas standardeve profesionale, duke garantuar ruajtjen afatgjatë të memories vizuale shqiptare.
Në planin ndërkombëtar, muzeu arriti një nga vlerësimet më të rëndësishme në vitin 2017, kur u përzgjodh në listën e ngushtë për çmimin europian “European Museum of the Year”. Ndërkohë, në vitin 2025, arkivi i tij u regjistrua në programin ndërkombëtar UNESCO Memory of the World, duke marrë njohje globale për vlerën historike dhe kulturore që mbart.
Në kuadër të 10-vjetorit, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka paralajmëruar një ekspozitë të veçantë kushtuar Gjon Mili, fotografit shqiptaro-amerikan me famë botërore. Për herë të parë në Shkodër do të prezantohet koleksioni origjinal i tij i ardhur nga New York-u.
Dhjetë vite pas hapjes së dyerve, Muzeu “Marubi” mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të kujtesës kulturore në Shqipëri, duke vazhduar të ndërtojë ura mes arkivit historik dhe leximit bashkëkohor të fotografisë.






