Festohet hapja e klasave te muzikes ne Lezhe, nxenesit instrumentist koncert ne pallatin e kultures

Plot dhjetë vite më parë, në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë u hodhën themelet e një projekti të veçantë, hapja e klasave të muzikës. Sot, ajo nismë është kthyer në një histori suksesi që u përmbyll me një aktivitet festiv madhështor në Pallatin e Kulturës, ku u kremtua përvjetori i parë i dekadës artistike.Në një mbrëmje të mbushur me emocione, dhjetëra nxënës të talentuar interpretuan pjesë të njohura nga repertori klasik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Artdashësit lezhjanë u bënë dëshmitarë të një performance që përfaqëson jo vetëm punën dhe përkushtimin e fëmijëve, por edhe gjithë kontributin e dhjetra mësuesve dhe drejtuesve të shkollës.Një element që e bëri koncertin të veçantë ishte ngjitja në skenë e muzikantëve që kanë përfunduar këtë shkollë dhe atyre që e vijojnë , të cilët, përmes interpretimeve të tyre të sinkronizuara, krijuan një ndjesi të thellë artistike. Duartrokitjet e zgjatura ishin tregues i qartë i emocioneve që ngjalli kjo ngjarje kulturore.

Drejtori Rajonalë i Arsimit Parauniversitar në Lezhë, z. Hasan Muça, vlerësoi këtë arritje si një ringjallje të traditës së hershme muzikore që qyteti ka pasur, duke e konsideruar shkollën “Besëlidhja” si një model për t’u ndjekur.

Përgjatë 90 minutave të koncertit, skena u mbush me energji, përkushtim dhe një nivel interpretimi që i tejkaloi pritshmëritë. Kjo ngjarje jo vetëm që do të kujtohet gjatë nga publiku, por gjithashtu rrit standardet për aktivitetet artistike të ardhshme në Lezhë

Artikulli paraprakSHKODËR, PROCEDOHEN PENALISHT DISA SHTETAS PËR VEPRA TË NDRYSHME PENALE
Artikulli tjetër1430 MATURANTË NË PROVIMIN E GJUHËS SË HUAJ