Një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha dëshmoi në Prokurori për 3 orë për protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë e PD-së, sot radhën e ka kryedemokrati Lulzim Basha. Kreu i PD është thirrur për t’u paraqitur në Prokurorinë e Tiranës në orën 11:00, ndërsa nuk ka deklaruar publikisht nëse do të jetë apo jo i pranishëm. Po ashtu sot është thirrur për të dëshmuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në orën 12:00.

Pas daljes nga Prokuroria, Berisha deklaroi dje se kishte informuar hetuesit mbi atë që ai e quan banda e Lulzim Bashës brenda në seli. Sipas tij ka pasur njerëz të armatosur në godinë atë ditë dhe armët u larguan me makinën e kreut të Partisë Demokratike. Ai akuzoi sërish Bashën si peng të Ramës,teksa paralajmëroi edhe një herë protesta të fuqishme. Ai nuk specifikoi datë për protestën e radhës, por ndërkohë deklaroi rikthimin e takimeve me qytetarët që do të nisin të dielën nga Shkodra.

Po ashtu dje dha dëshminë e tij në Prokurori edhe Flamur Noka, i cili tha për mediat se u mor në pyetje me urdhër të ‘pengmarrësit të PD-së’.

Berisha nuk është në listën e personave të arrestuar apo të vënë në hetim për 8 janarit.Gazment Bardhi është nën hetim pasi akuzohen për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”.

Flamur Noka, deputeti tjetër nën hetim për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Çuditërisht për Sali Berishën asnjë akuzë.

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pamjet filmike në të gjitha ambientet e selisë së PD-së e ndërsa Gjykata eTiranës ka liruar 34 të arrestuarit.