Shqipëria kishte në vitin 2025 peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me ekonominë në Europë. Në vitin 2025, shpenzimet nominale për ushqime ishin sa 20.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ose rreth një e pesta e ekonomisë, kundrejt vetëm 6.2% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian.

Edhe krahasimi rajonal tregon një diferencë të dukshme. Në Malin e Zi, shpenzimet për ushqime ishin sa 19.9% e PBB-së, në Bosnjë-Hercegovinë 19.1%, në Maqedoninë e Veriut 17.9% dhe në Serbi vetëm 12.8%. Pesha kaq e lartë lidhet në radhë të parë me nivelin e ulët të të ardhurave. Për familjet me të ardhura më të kufizuara, pjesa më e madhe e buxhetit përqendrohet te nevojat bazë dhe ushqimi është ndër të parat.

Në vendet me të ardhura më të larta, pasi plotësohen nevojat për ushqim, një pjesë shumë më e madhe e të ardhurave mbetet për strehim, transport, shëndetësi, arsim, kulturë, argëtim dhe kursime. Shqipëria ka konsum individual për frymë, të matur sipas fuqisë blerëse, sa 48% e mesatares së BE-së, ndërsa të ardhurat për frymë janë vetëm 43% e mesatares europiane. Megjithatë, shpenzimet për ushqime në raport me ekonominë janë mbi tri herë më të larta se në BE.

Në vlerë, sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria shpenzon 5.1 miliardë euro për ushqime. E parë e detajuar, Shqipëria ka peshë të lartë të disa prej produkteve më bazë në ekonomi, duke u renditur në krye të Europës për shpenzimet për qumështin dhe produktet e bulmetit, vajrat dhe yndyrnat, si dhe për zarzavatet. Një tjetër diferencë e fortë është te vajrat dhe yndyrnat. Në Shqipëri, shpenzimet për këtë kategori ishin sa 1.4% e PBB-së, kundrejt vetëm 0.2% në Bashkimin Europian. Në raport me madhësinë e ekonomisë, Shqipëria shpenzon shtatë herë më shumë se mesatarja e BE-së për këtë grup produktesh. Në vlerë shpenzimi ishte 356 milionë euro.

Edhe në këtë rast, Shqipëria kishte peshën më të lartë ndër vendet europiane të përfshira në tabelë. Në Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut, vajrat dhe yndyrnat zinin vetëm 0.6% të PBB-së, ndërsa në Serbi 0.4%. Edhe Greqia, relativisht e lartë në krahasim me BE-në, ishte në 0.7%./Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNGJARJE E RËNDË NË MALIN E ZI/ TRE TË VRARË NË NJË POLIGON QITJEJE, POLICIA NË KËRKIM TË NJË 30-VJEÇARI RUS
Artikulli tjetërSULM ME THIKË NË TIMES SQUARE, DY VIKTIMA DHE NJË I PLAGOSUR RËNDË, AUTORJA REFUZOI T’IU BINDEJ URDHRAVE TË POLICISË DHE U QËLLUA NGA EFEKTIVËT