Dje në Ferizaj, ka ndodhur një nga grabitjet më të sofistikuara dhe mirë të organizuara në Kosovë. Burime brenda Policisë së Kosovës dhe personave që ishin në vend të ngjarjes, kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një plaçkitje mjaft mirë të organizuar.

“Po, grabitja ka ndodhur diku rreth orës 17:30, dje, në Ferizaj, saktësisht në argjendarinë ‘Beni’ që gjendet në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’”, ka deklaruar një burim për Express. Sipas informatave, tre persona të cilët ishin të pajisur me çanta dhe të maskuar, e dy prej tyre madje të armatosur, kanë hyrë në këtë argjendari. “Gjatë kësaj periudhe, ata kishin shtrirë në tokë pronarin e argjendarisë dhe kontabilistin, që në atë moment ndodheshin aty”, mëson Express nga burime të sigurta nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, i kanë thënë Expressit se një nga tre grabitësit ka qenë femër. Në një moment, siç mësohet, kontabilisti i argjendarisë ishte konfrontuar me plaçkitësit. Kjo i ka kushtuar kontabilistit B.H. me plagosje. “Po, kontabilisti është plagosur dhe është dashur të dërgohet në QKUK për trajtim. Siç kam informata, ai është në gjendje të rëndë”, i ka deklaruar një burim tjetër Gazetës Express. Mirëpo, këtu nuk përfundon e gjithë ngjarja. Express mëson se 3 grabitësit, gjatë rrugës përderisa po iknin, janë aksidentuar me një pjesë të një shtëpie. Ata është dashur të largohen në këmbë, kurse vetura ka mbetur në vendin e ngjarjes dhe është djegur. Ngjarja bëhet edhe më interesante kur mësohet se vetura që është gjetur i ka targat e regjionit të Prishtinës (01) dhe e njëjta është raportuar si e vjedhur në mars të këtij viti. Deri më tani, nuk dihet sasia e arit të grabitur apo identiteti i personave që kanë kryer grabitjen, kurse për rastin ka njoftuar edhe Policia në raportin ditor.

“Raportohet se tre të dyshuar të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një argjendari, me ç‘rast të njëjtit kanë grabitur një sasi të arit dhe gjatë konfrontimit, të njëjtit kanë plagosur me armë viktimën mashkull K/Shqiptar dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore. Rasti po hetohet nga njësitet policore”, thuhet në raportin e Policisë.