Tjetër sasi droge kalon nga Durrësi dhe kapet në Itali

Më shumë se 1 kg heroinë e pastër është sekuestruar nga “Guardia di Finanza” e Marcianise-s në Itali që ka arrestuar një shqiptar për trafik ndërkombëtar droge dhe ka denoncuar në gjendje të lirë bashkëpunëtorin e tij italian. Aksioni u zhvillua pasditen e djeshme, kur një patrullë e “Guardia di Finanza-s” ka ndaluar për një kontroll një makinë, e cila drejtohej nga 40-vjeçari italian, ndërsa 38-vjeçari shqiptar ishte pasagjer (identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur). Ky i fundit po përpiqej të fshihte një çantë. Të dy kanë thënë se sapo kishin zbarkuar nga porti i Barit dhe vinin nga Shqipëria. Efektivët, kontrolluan çantën dhe pjesën tjetër të bagazheve. Në total, u gjetën më shumë se 1 kg heroinë. Nëse do të përzihej dhe do të shitej në treg, droga do të sillte dhjetëra mijëra euro, raporton ANSA.