Trupi i pajetë i Hyqmet Shatzës i cili u mbyt mbrëmjen e 21 tetorit në ujërat e lumit Buna është gjetur në fshatin Reç të Velipojës.

Një peshkatar që po peshkonte ka parë mbi ujë një trup të pajetë dhe menjëherë ka dyshuar se është trupi i Hyqmet Shatzës. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë bashkë me familjarët të cilët kanë pritur në breg derisa është bërë e mundur nxjerrja e trupit përmes një varke lundruese. Familjarët kanë mundur që ta identifikojnë duke siguruar se është pikërisht peshkatari Hyqmet Shatza i cili u mbyt para 6 ditësh teksa po peshkonte bashkë me kolegun e tij i cili arriti që të shpëtojë. Kufoma është transportuar me një barrelë për pak metra për shkak të terrenit të papërshtatshëm në vendin ku ndodhej ambulance. Menjëherë nga aty është transportuar drejt morgut në spitalin rajonal të Shkodrës nga ku do të bëhet edhe ekspertiza e më pas trupi do t’i jepet familjes Shatza për ta varrosur. Një ditë më parë familja Shatza bëri apel që strukturat shtetërore të nisnin kërkimet dhe të mos neglizhonin për faktin se i përkasin komunitetit egjiptian. Ky apel ka zënë vend dhe gjatë ditës së marte nga Tirana mbërriti grupi i polumbarëve të gatshëm për të nisur kërkimet në ujërat e lumit Buna. Sapo janë bërë gati ka qenë e panevojshme sepse është mësuar se një peshkatar në fshatin Reç ka parë trupin e pajetë. Në rast të kundërt polumbarëve do t’i ishte dashur sërish një kohë e konsiderueshme deri në gjetjen e kufomës. Është i dyti rast që nuk operohet me shpejtësi gjë e cila tregon pamundësinë e strukturave shtetërore për të qenë efiçent në raste të tilla.