Stefan Curri nga Puka është një nga anëtarët kryesor të klanit mafioz që furnizonte Spanjën me drogë. Curri është mes 107 personave të arrestuar gjatë operacionit të Europol, që përfshiu 3 shtete, Spanjë, Gjermani dhe Shqipëri. Megaoperacioni shkatërroi rrjetin e organizuar kriminal të përbërë kryesisht nga kriminelë shqipfolës, të dyshuar për trafikim ilegal të drogës.

Sipas hetimeve, Stefan Curri me lidhjet e tij rekrutonte njerëz kryesisht nga zona e Pukës dhe Mirditës, paguante biletat e avionit duke i ftuar si turistë dhe më pas i kthente në punëtorë dhe në roje të shtëpive të barit. Ky grup kriminal menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë, ku e kultivonin dhe e përpunonin drogen, para se ta shpërndanin në vendet e tjera europiane.

Grupi kriminal ishte shtrirë në shumë vende, ku anëtarët e tij arrestuar kanë histori të trafikut të drogës. Në momentin e ndërhyrjes së Europol, anëtarët e grupit kriminal po devijonin furnizimin me energji elektrike për të kultivuar bimët në ambiente të mbyllura, dhe vlera e energjisë elektrike së vjedhur dhe përdorur për rritjen e bimëve narkotike arrin në mbi 1.6 milion euro.

Europol siguroi ekspertizë dhe mbështetje të gjerë duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit përmes kanaleve të tij të sigurta. Në ditën e aksionit, një post komandues u krijua nga Europol për të siguruar koordinim mes vendeve të përfshira. Tre hetues shqiptarë u vendosën në Spanjë në kuadër të projektit që synonte të luftonte krimin e organizuar serioz në Ballkanin Perëndimor.

Nga aksioni 107 persona u arrestuan, përfshirë shtetas shqiptarë, spanjollë, sllovakë dhe grekë, u zbuluan 51 ferma kanabisi dhe u sekuestruan 25 000 bimë kanabis. U konfiskuan gjithashtu 70 mijë euro dhe automjete luksoze.