Një vit më parë Shqipëria zhvilloi procesin më të çuditshëm të zgjedhjeve me pjesëmarrjen vetëm të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj. Opozita vendosi të djeg mandatet e deputetëve ndërsa më pas refuzoi edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale bashkë me LSI dhe partitë e tjera opozitare.

PS e Edi Ramës mbeti e vetme por pavarësisht kësaj nuk u tërhoq dhe i zhvilloi zgjedhjet vendore. Edhe pse opozita nuk ishte në Parlament kryeministri Rama që në fillim të marsit të vitit të kaluar paralajmëroi për procesin e votimit ndërsa kundërshtari i tij politik Lulzim Basha shprehej me bindje se zgjedhjet nuk do zhvilloheshin.

Opozita nuk qëndroi duarkryq dhe zhvilloi disa protesta politike të njëpasnjëshme për trembur kryeministrin që të tërhiqej. Protesta e 16 shkurtit nisi me mesazh paqeje teksa vajzat e PD dhuruan lule për policët por përfundoi në një protestë të dhunshme.

Pas protestave të opozitës në 8 qershor të vitit të kaluar u fut në lojë Presidenti Ilir Meta duke i dhënë një dorë opozitës jashtë Parlamentit. Kreu i shtetit befasoi jo pak kur në 8 qershor dekretoi shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, vendim që opozita e mirëpriti krahëhapur ndërsa kryeministri Rama jo vetëm lëshoi akuza për Presidentin por edhe nuk e mori parasysh atë vendim duke thënë se zgjedhjet do të zhvilloheshin në 30 qershor ashtu si ishte vendosur më parë.

Opozita nuk u ndal me protestat e saj derisa kreu i opozitës Basha zhvilloi takime me ndërkombëtaret. Opozita uli ritmin dhe në protesta si një mesazh paqeje por edhe për të shmangur dhunën Basha solli bashkëshorten Aurela dhe dy vajzat e tij. Kjo bëri që demokratët të lënë molotovët. Qershori vijoi me përplasje të forta mes Ramës dhe Metës që kulmoi me një tjetër vendim të Presidentit.

Në 27 qershor, vetëm tri ditë para zgjedhjeve kreu i shtetit pasi kishte shfuqizuar dekretin e 30 qershorit, dekretoi datën e re të zgjedhjeve atë të 13 tetorit, datë të cilën më vonë kryeministri Rama e injoroi

Kur po afrohej momenti për të votuar ndërkombëtarët bënë thirrje për qetësi dhe procesi të zhvillohej normalisht. Disa incidente të vogla të papërfillshme nuk i ndalën zgjedhjet vendore në 30 qershor. Edhe pse me një pjesëmarrje minimale dolën kryetarët e rinj të bashkive pothuajse të gjithë të Partisë Socialiste duke bërë që opozita të humb të gjitha pushtetet.

Në 4 shtator doli raporti përfundimtar i OSBE ODIHR ku thuhej se “armiqësia politike, mungesa e reformës elektorale dhe pasiguria ligjore ishin disa nga aspektet që dëmtuan zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Procesi elektoral u karakterizua gjithashtu nga parregullsi në kontrollin e votuesve dhe me pengim të procesit të vëzhgimit.

Zgjedhjet vendore të 30 Qershorit u mbajtën në një situatë të rëndë politike dhe institucionale, që rridhte nga armiqësia e tejzgjatur mes Partisë Socialiste në pushtet dhe asaj Demokratike në opozitë”. Pavarësisht këtyre qëndrimeve ndërkombëtarët e njohën procesin duke pranuar problemet.

Qeveria nisi shkarkimin e Presidentit i cili në Komisionin Hetimor Parlamentar tha se vendosi të shfuqizojë zgjedhjet e 30 qershorit sepse një ditë përpara se të merrte këtë vendim kishte informacione se do digjej Parlamenti.

Në 14 tetor Komisioni i Venecias nuk i dha të drejtë Presidentit për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit por pavarësisht këtij opinioni, vrulli për shkarkimin e Presidentit u ngadalsua ndërsa Rama dhe Meta ulën tensionet mes tyre. Një vit pas zgjedhjeve Gjykata Kushtetuese e cila pritet që të legjitimojë ose jo përfundimisht zgjedhjet e 30 qershorit nuk është bërë akoma ndërsa Bashkimi Europian ndaloi për momentin rrugëtimin e Shqipërisë në familjen Europiane duke vendosur 15 kushte.

Vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet Parlamentare, proces për të cilin është bërë një marrëveshje mes palëve politike e cila pritet të rikthejë opozitën e bashkuar në Parlament. Kryeopozitari Basha mendon se edhe pa asnjë pushtet politik në dorën e tij, zgjedhjet Parlamentare opozita do t’i fitojë bindshëm! Ndryshe mendon Edi Rama i cili kërkon edhe një mandate duke besuar se një Rilindje zgjat edhe 12 vjet!