Më pak se 23 km ndajnë qytetin e Shkodrës nga ai i Vau-Dejësit, vend ku në janarin e vitit 1967 do të niste ndërtimi i digës së hidrocentralit në pjesën e poshtme të lumit Drin.

Në shtatorin e vitit 1971, 2 muaj para se të inaugurohej hidrocentrali, dhjetëra familje nga fshatrat Lisen, Vjerdhë, Mllojë e Gomsiqe, kishin lënë tokat dhe shtëpitë, pasi aty do të zinte vend liqeni i Vaut të Dejës. Banorët e këtyre fshatrave populluan një pjesë të qytezës, pasi u vendosën në kapanonet e ish-punonjësve të hidrocentralit, ku përveç strukturave të pasuvatuara, çatitë ishin të mbuluara me eternit. Sot pas 46 vitesh në lagjen Lisen të Vau-Dejësit jetojnë rreth 1000 banorë në 240 familje. E vetmja gjë që ka ndryshuar janë eternitet e banesave që po shpërbëhen dita – ditës duke u kthyer në burim sëmundjesh.

Është vërtetuar shkencërisht se fibrat e azbestit si përbërës kryesor i eterniteve, janë kancerogjene dhe lehtësisht të transmetueshme në organizëm. Ky element mund të qëndrojë në trupin e njeriut për 30-40 vite dhe pas një periudhe të gjatë mund të aktivizohet dhe të shkaktojë sëmundje si absteoza, kanceri i mushkërive apo i laringut. Edhe banorët e lagjes së varfër e njohin mirë rrezikun e këtij vrasësi të heshtur. Pashkë Mraçaj është e para që takojmë në dalje të rrugicës së ngushtë që të shpie në zonë. Teksa flet pranë mbetjeve të shumta urbane, ajo përmend sëmundshmërinë e përhapur ndër banorë. Ajo që e shqetëson Ndoc Shitën, i cili ndryshe nga banorët e tjerë ka ardhur nga fshati Hajmel, është se eternitet e çative të tyre kanë kaluar çdo afat përdorimi. Lazër Pjetrin e takojmë gjatë rrugicës 200 metërshe që përshkon gjysmën e banesave të lagjes. Ai thotë se rreziku i sëmundjeve është vetëm njëra anë e medaljes.

Asnjë hapësirë toke deri tani nuk u është dhënë si dëmshpërblim, ndërsa papunësia masive po u vështirëson jetesën. Ndihma ekonomike dhe emigrimet 3 mujore janë dy burimet kryesore të të ardhurave për këto familje, megjithatë nuk mjaftojnë për të përballuar vështirësitë ekonomike. Mark Pjetri na fton me dëshirë në banesën e tij. Ai është baba i 3 fëmijëve, ndërsa vështirësitë ekonomike dhe pagesat e mjekimeve për bashkëshorten e sëmurë, e kanë lodhur shumë kohët e fundit. Teksa flet për jetën në lagje dhe vështirësitë e punësimit, nuk harron të na tregojë vendet e shumta ku gjatë reshjeve hyn uji në banesën e tij. Pavarësisht se ndodhet vetëm pak metër larg hidrocentralit që u ndryshoi përgjithmonë jetën shumë banorëve të lagjes, pagesën e fundit të energjisë elektrike, e bëri me paratë që ia kompensuan për librat e të birit në shkollë. Kjo është jeta e vështirë dhe e rrezikuar e banorëve të lagjes Lisen në Vaun e Dejës.

Shumë personave nuk u bën më përshtypje. Mesa duket janë mësuar me këtë ritëm. Shpresat janë të pakta, por ndihmë kërkojnë. Vitet kalojnë, ndërsa banorët mendojnë për plane të mundshme që mund të zbatohen për zgjidhjen e problemit të tyre. E vetmja gjë që kanë janë kapanonet e ish-punonjësve të hidrocentralit, ku edhe çatitë e eternitit i kanë mbuluar me gurë.