Përmes fjalëve emocionuese, Mimi Kodheli, ka mbajtur fjalimin e fundit në Kuvend pasi në shtatorin e ardhshëm ajo nuk do të jetë më në ato ulëse pasi nuk u zgjodh më 25 prill. Në fjalën e saj Kodheli i falënderoi të gjithë për bashkëpunimin, në vecanti Kryeministrin Rama.

“Faleminderit Edi Rama por çfarë ke ditur të jesh, bashkëpunëtor, mik dhe lider”, tha Kodheli.

Deputetja tha se se Shqipëria ndodhet sot në momentent e saja më të rëndësishme, ndaj cdo punë e bërë, i bën mirë vendit.

“Ky institucion dhe kjo foltore mbeten më të rëndësishme. Me respekt dhe përulje për ata kolegë që ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre. Faleminderit Gramoz Ruçi për lidershpin në këto vite në politikë dhe leksionin e madh që dhe në fund. Faleminderit kolegë të gjitha legjislaturave ku unë kam qenë pjesë. Faleminderit atyre të forcave të tjera politike me të cilët kam bërë debate. Faleminderit socialistëve nga Bjeshkët e Namuna.

Faleminderit qytetarëve që më kanë votuar dhe mbështetur që më mua kanë qarë dhe qeshur. Janë lodhur por edhe kanë festuar. Faleminderit atyre që te mua kanë parë një model. Ndjesë e madhe atyre të njohur dhe të panjohur që nuk kam mundur të përgjigjem si do kisha dashur. Unë nuk kam bërë mrekullira por angazhimi im ka qenë I qartë.

Faleminderit Edi Rama për atë që ke ditur të jesh, bashkëpunëtor, mik, lider. Dy fjalë për të ardhmen, duhet të kemi besim sepse përndryshe nuk do kemi shans të përparojmë. Ju ftoj të vazhdojmë ta duam vendin dhe të dëgjojmë njëri tjetrin. Shqipëria ndodhet në një prej momenteve më të rëndësishëm dhe çdo punë e bërë mirë i bën mirë të ardhmes. Shpresoj të shihemi së shpejti me punë të mira”, tha ndër të tjera ajo.

Deputetja e PS-së Mimi Kodheli kandidoi në Tiranë në zgjedhjet e 25 prillit, dhe ishte e 21-a në listën e Partisë Socialiste. Ajo nuk arriti të merrte votat e nevojshme për tu zgjedhur deputete edhe në legjislaturën e ardhshme.

Mimi Kodheli ka më shumë se 20 vite në politikën aktive. Aktualisht ajo është zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Gjithashtu ajo është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe Kryetare e Delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, bëhet kështu e para shqiptare që zgjidhet në një pozicion të tillë të një organizate ndërkombëtare.

Mimi Kodheli është Doktore e Shkencave Ekono­mike prej vitit 2007 dhe Master në Administrim Biznesi nga Universiteti Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës në vitin 2000. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë, në vitin 1986.

Znj. Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u emërua Zëvëndëskryetare e Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2005, u emërua Prefekte e Qarkut të Tiranës. Prej vitit 2009 është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Në karrierën parlamentare ka mbajtur pozicionin e Zëvendëskryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave përgjatë legjislaturës 2009-2013 dhe aktualisht është Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme. Gjatë viteve 2013-2017 ka shërbyer si Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë. Prej vitit 2007 e në vazhdim është Anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste.