
Sfida më e rëndësishme e javës së 10-të në Kategorinë e Dytë nuk ka prodhuar fitues. Shiroka dhe Besëlidhja e Lezhës janë ndalur në një barazim me rezultatin 1-1, në sfidën e zhvilluar mes tyre në fushën “Reshit Rusi”. Në fakt, ka qenë një takim mjaft i luftuar mes dy pretendenteve kryesore të këtij sezoni. Shiroka do të kalonte e para në avantazh që në minutën e gjashtë, me Dulaj që zhbllokoi rezultatin. Megjithatë, Besëlidhja u përgjigj menjëherë pas dy minutash, duke barazuar rezultatin në minutën e tetë me Akansase. Pjesa e parë do të mbyllej në barazim. Edhe në të dytën, Shiroka dhe Besëlidhja rrezikuan portat e njëra-tjetrës, por pa arritur dot të shënojnë golin e dytë, duke bërë që gjithçka të mbyllet në barazim 1-1. Pas këtij dueli, trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori tha se patën raste për ta fituar ndeshjen.
Nga ana tjetër, trajneri i Shirokës, Matias Tatangelo tha se nuk është i kënaqur me barazimin, pasi sipas tij kërkonin më tepër.
Pas këtij barazimi, vendi i parë vijon të ndahet mes Shirokës dhe Besëlidhjes, me nga 23-pikë, teksa lezhjanët kanë një ndeshje më tepër për të luajtur javën e ardhshme.






