Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i shoqëruar nga kandidatja për deputete, Taulanda Jupi zhvilloi një takim me pensionistë në zonën e Laprakës në Tiranë, ku u diskutua për shqetësimet e tyre dhe programin.

Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi se më 11 maj, qytetarët, veçanërisht pensionistët, do të përballen me një zgjedhje të rëndësishme; të vazhdojnë edhe katër vite të tjera me qeverisjen e Edi Ramës, apo të votojnë për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre dhe të familjeve të tyre.

“Më 11 maj, thelbi i zgjedhjes që do bëjnë qytetarët dhe në veçanti pensionistët kjo do jetë, ose do vazhdojmë edhe katër vite të tjera me Edi Ramën dhe shokët e tij tek 7×7=313 dhe shoqet e tij valltare me rripa nga 2 mijë euro. Ose do votoni për veten tuaj, për xhepin tuaj dhe të familjeve dhe të fëmijëve tuaj. Se normalisht shumica prej jush ia dilni për shkak të ndihmës që u japin fëmijët dhe familjet. Se me këto pensione nuk ka njeri t’ia dalë. Ky është thelbi i zgjedhjes që do të bëni në 11 maj” – tha ai.

Basha tha se programi i Koalicionit Euroatlantik do të sjellë rritje të konsiderueshme të pensioneve. Sipas tij, brenda katër viteve, pensioni minimal do të arrijë në 250 mijë lekë dhe pensioni mesatar në 450 mijë lekë. Për pensionistët që kanë pensione nën 300 mijë lekë, do të ofrohet një shumë fikse për të kompensuar faturat e energjisë, si dhe rimbursim të plotë të barnave.

Ai gjithashtu foli për platformën e Koalicionit Euroatlantik për shëndetësinë, duke nënvizuar se barnat do të rimbursohen plotësisht sipas diagnozës mjekësore, një masë që do të prekë veçanërisht të moshuarit, të cilët përballen me shpenzime të larta për ilaçe.

 

Artikulli paraprakS’KA KONSTITUIM TË KUVENDIT AS NË PËRPJEKJEN E GJASHTË, ALBULENA HAXHIU VIJON TË JETË “FIGURA PËRÇARËSE”
Artikulli tjetërZJARRET NË LEZHË, MBLIDHEN EMERGJENCAT