Kombëtarja shqiptare mposhtet në miqësoren e dytë të qershorit. Republika Çeke fitoi 3-1 përballë Shqipërisë në ndeshjen e luajtur në Pragë. Një sfidë që mund të kishte pasur histori tjetër, me ekipin kombëtar shqiptar që duhej të kishte shfrytëzuar rastet e veta.

Shqipëria e nis mirë ndeshjen, qarkullon më mirë topin, ushtron edhe presing, por në finalizim çalon, mungojnë gjuajtjet në drejtim të portës. Më pas vendasit rrisin nivelin e lojës dhe dalin me 3 sulmues.

Selmani është në lartësinë e duhur në dy tentativa, por në minutën e 18-të dorëzohet, kur Schick gjen cepin e portës. Janë minuta të mira për Çekinë, e cila mund të kishte shënuar edhe gola të tjerë.

Megjithatë, në minutën e 42-të vjen një perlë e Cikalleshit nga distanca me të djathën. Bomberi kavajas vendos baraspeshën, duke e dërguar topin në trekëndësh, me portierin vendas të dorëzuar. 4 minutat e para mbyllen në barazim.

E dyta nis e ekuilibruar, me raste sporadike për të dy ekipet. Për të ardhur në minutën e 68-të, kur në një aksion pa shumë pretendime, Masopust ndëshkon kuqezinjtë me golin e dytë. Ai gjeti cepin e portës.

Reja menjëherë freskon ekipin, duke futur në fushë Dokën dhe Lenjanin, në vend të Veselit dhe Trashit. Loja ka ritëm dhe kuqezinjtë përpiqen të barazojnë. Në 81’ vijnë 3 zëvendësime njëherësh, në fushë Balaj, Seferi dhe Laçi, duke freskuar totalisht repartin sulmues. Po kur pritej barazimi, vjen goli i tretë i Çekisë.

Artikulli paraprakKONFIRMOHEN RASTET E PARA TË GRIPIT TË SHPENDËVE NË SHQIPËRI, MINISTRIA E BUJQËSISË: PO MONITOROJMË SITUATËN
Artikulli tjetërSOT VOTIMI NË KUVEND, ILIR META MUND TË BËHET PRESIDENTI I PARË I SHKARKUAR NGA LIGJVËNËSIT NË HISTORINË E SHTETIT SHQIPTAR