Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që për dy javët e ardhshme masat të vazhdojnë të jenë të pandryshuara. Prof. Mira Rakacolli bëri të ditur njoftimin në mbledhjen e radhës që Komiteti mbajti pasditen e sotme.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik prof. Albana Fico, deklaroi se ka një ulje të incidencës dy javore.

“Incidenca dy javore ka pësuar ulje nga 268 raste për 100 mijë banorë, në 179 raste për 100 mijë banorë. Pozitiviteti i mostrës vazhdon të ulet. Mesatarja e rasteve të reja për javën që lamë pas ka rënë nga 342 në 141 raste të reja. Vlen të theksohet se edhe numri total i rasteve aktive ka rënë në 29,618 nga 30,090. Por nga ana tjetër kemi vënë re që ka një rritje të numrit të bashkive të vogla të prekura dhe ky numër nga 32 ka shkuar në 38”, tha Fico.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, dr. Skënder Brataj bëri me dije se thirrjet tek 127 vijojnë të jenë konstante.

“Thirrjet tek 127 vijojnë të jenë konstante, janë 1700 në 24 orët e fundit. Ajo që vihet re është se numri i vizitave për covid ka rënie. Numri për qarkun e Tiranës me qarqet e tjera është barazuar, pra ka një rritje në qytetet e tjera. Edhe numri i shtrimeve vijon të jetë në ulje, gjë që tregon për një ulje të të gjtihë indikatorëve. Ka 3, 4 fshatra që i janë shtuar së fundmi listës së qyteteve me infektime, pra ka zona të largëta të reja të prekura nga COVID19”, tha dr. Brataj.

Prof. Mira Kola, duke folur për rastet e infeksioneve në moshat pediatrike tha: “Në dy javët e fundit moshat pediatrike sa i përket infeksioneve të Sars Cov2 dhe shtrimeve në spitale kanë rënie dhe ajo që është më e rëndësishme është se nuk kemi raste që vijnë në terapi intensive, që vijnë me komplikacione të rënda ose fatalitete”.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka shprehur shqetësimin që gjatë fushatës elektorale, disa subjekte politike po zhvillojnë grumbullime në kundërshtim me rregullat e vendosura, ndërkohë që kanë bërë thirrje që të zbatohen rregullat e vendosura.

“Komiteti i Ekspertëve është mjaft i shqetësuar për shkak se në fushatën elektorale, disa subjekte politike po zhvillojnë grumbullime krejtësisht jashtë të gjitha kritereve të rekomanduara, pa i zbatuar rregullat anticovid. Jemi shumë të shqetësuar sepse padyshim grumbullimet e vërejtura nga disa subjekte politike patjetër që do të çojnë në një rritje të numrit të të infektuarve në të ardhmen dhe ajo çfarë është më e keqja patjetër që do të çojnë në një rritje të humbjeve të jetës. Ju bëjmë një apel të gjitha subjekteve politike që takimet e tyre elektorale t’i zhvillojnë në përputhje me rregullat, për mos lejimin e grumbullimeve të mëdha, për mbajtjen e distancën fizike, mbajtjen e maskës dhe të gjitha masave që tashmë janë bërë të qarta”, ishte apeli i prof. Rakacollit, në emër të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

 

Artikulli paraprakZBUTJE E MASAVE ANTICOVID? KOMITETI TEKNIK I EKSPERTËVE DEL PAS PAK NË KONFERENCË PËR SHTYP
Artikulli tjetërSHENDETI – 07.04.2021