Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Shkodër ka arrestuar një punonjës policie, që akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk ka regjistruar në hyrje të Pikës Kufitare të Muriqanit shtetasin Altin Okaj me automjetin e tij, i cili po transportonte mallra ushqimorë.

I arrestuar është Inspektor Ruzhdi Mashku 57 vjeç, me detyrë ndihmës specialist, kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Muriqan. “Nga verifikimet e kryera në sistem rezulton se punonjësi i policisë Ruzhdi Mashku nuk ka regjistruar në hyrje të Pikës Kufitare të Muriqanit shtetasin Altin Okaj me automjetin e tij.Shtetasi Altin Okaj është arrestuar në një largësi prej 300 metrash nga pika e Kalimit të Kufirit Muriqan nga forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë, Shkodër duke transportuar me automjetin tip “Ford’’ me targa AA 781 MO, mallra ushqimore.” Materialet proceduriale i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.