Nxjerrja e pistoletës drejtuar tregtarëve të duhanit duket se do t’i kushtojë jo pak shefit të krimit ekonomik në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës.

Shefi Pjerin Lazri është pezulluar nga SHKB-ja pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “Rus” në qytetin e Shkodrës. Përveç pezullimit të Pjerin Lazrit prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka nisur një procedim penal ndaj tij. Shefi i krimit ekonomik në policinë e Shkodrës sipas burimeve që vijnë nga organi i akuzës po ndiqet në gjendje të lirë deri në zbardhjen e plotë të gjithë asaj skene që ndodhi mëngjesin e së premtes në lagjen “Rus”. Shefi Lazri do të hetohet për të gjitha veprimet e tij, që nga reagimi ndaj tregtarëve të duhanit e deri tek nxjerrja e pistoletës në mes të ditës përpara tregtarëve edhe pse aty askush nuk kishte armë e ndërsa asnjë prej tregtarëve nuk iu drejtua shefit të krimit ekonomik për mjetit ku ndodhej sasia e duhanit të sekuestruar. Edhe në njoftimin zyrtar të policisë vendore të Shkodrës që erdhi pas ngjarjes së ndodhur u tha se drejtoria e standarteve profesionale po verifikon edhe veprimet e punonjësve të policisë gjatë ndërhyrjes. Në fakt pas sekuestrimit të duhanit nuk ka patur ndërhyrje të tjera nga policia përveç nxjerrjes së pistoletës nga ana e shefit të krimit ekonomik Pjerin Lazri ndaj tregtarëve sikur këta të fundit të ishin kriminelë dhe jo shitës të thjeshtë që janë aty për asgjë më shumë se sa për bukën e gojës. Përveç pezullimit të shefit Lazri hetimet e prokurororisë në procedimin penal në gjendje të lirë do të vijojnë derisa të ketë një version të plotë dhe zyrtar. Nxjerrja e pistoletës nga kreu i krimit ekonomik dhe revolta e tregtarëve erdhi pas një aksioni blic në lagjen “Rus” për sekuestrimin e sasive të duhanit që shitet aty.