Kreu i qeverisë Edi Rama, ka bërë me dije mëngjesin e sotëm se ndodhet në Stamboll. Në kuadër të vizitës së tij në Turqi, Rama njofton se ndodhet atje për më shumë vaksina anti-COVID. Rama shkruan se rrugë tjetër nuk ka ‘o ia dalim o ia dalim’ pasi askush tjetër nuk ia del dot.

‘Në Stamboll për shumë vaksina! O ia dalim o ia dalim, s’ka tjetër dhe po s’ia dolëm ne askush tjetër nuk ka si ia del dot!’- shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama është nisur dje rreth orës 16:00 drejt Turqisë për të siguruar vaksina kineze, nga marrëveshja e arritur pak ditë më parë mes qeverisë shqiptare dhe një distributori turk.

Dy ditë më parë është zbardhur në fletoren zyrtare, akti normativ i qeverisë shqiptare me një distributor turk, por nuk janë publikuar detaje që ruhen nga sekreti tregtar.

Aktualisht Shqipëria ka siguruar rreth 90 mijë vaksina Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V. Vaksina kineze po përdoret gjerësisht në Kinë edhe në disa vende të Europës, ndërsa agjencia europiane e barnave po kryen studime për të miratuar përdorimin e vaksinës ruse Sputnik V.

Deri më tani janë kryer 27,872 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,932 vaksinime për të moshuarit dhe 12,411 vaksinime për arsimtarët. Nga java e ardhshme do të fillojë vaksinimi masiv për të moshuarit.