Obama kërkon lehtësim të borxhit për Greqinë, takon Tsipras

Ashtu sikurse pritej, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka folur për krizën e emigrantëve, borxhin e Greqisë si dhe situatën e Qipros, gjatë takimit të tij me Kryeministrin grek, Aleksis Tsipras. Lideri i Uashingtonit shprehu vlerësim për kontributin e popullit helen në menaxhimin e krizës së emigrantëve si dhe për solidaritetin e treguar prej tyre në strehimin e azil-kërkuesve. Më tej, Obama apeloi edhe njëherë për lehtësim të borxhit për Greqinë si dhe bëri thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët në kuadër të tejkalimit të krizës ekonomike. Presidenti amerikan tha gjithashtu se ShBA mbetet e angazhuar për zgjidhjen e çështjes së Qipros. Nga ana tjetër, Kryeministri Tsipras falënderoi ndër të tjera Obamën për vlerësimin dhe ndihmesën e tij kundrejt popullit helen. Dy liderët kanë zhvilluar një bisedë me dyer të mbyllura, ndërkohë që pas saj është planifikuar edhe një tjetër konferencë për mediat. Më herët, Presidenti Obama u prit edhe nga homologu Prokopis Pavlopulos. Kreu i shtetit grek theksoi ndër të tjera se Athina zyrtare e sheh Traktatin e Lozanës si një gur themeli për stabilitetin, një kritikë në distancë kjo për Presidentin Rexhep Taip Erdogan, i cili në një deklaratë të hershme ishte shprehur se ky akord i duket i padrejtë. Sikurse Tsipras, edhe Presidenti grek falënderoi Obamën për mbështetjen në çështje me rëndësi si borxhi dhe kriza e emigrantëve.