Ky është Martin Bërthamza, një 63 vjeçar nga fshati Obot i cili në biçikletë ka shkuar në tokat bujqësore duke u munduar që të shpëtojë prodhimet nga përmbytja.

I zbathur dhe i lagur thuajse në të gjithë trupin 63 vjeçari ka kaluar përmes ujit gjithë rrugën e fshatit deri në aksin kryesor që lidhet me Shkodrën ndërsa tregon situatën e vështirë në fshatin Obot të njësisë Ana e Malit.

E vetmja mënyrë për të kaluar deri në qendër Obot është përmes këtyre mjeteve të larta të ushtrisë që mbërritën për të bërë transportimin e fshatarëve për nevojat e tyre apo përmes fouristradave të larta. Rrok Pema është një 68 vjeçar i cili jeton i vetëm në fshatin Obot dhe u transportua në mjetin e ushtrisë për t’u furnizuar me ushqime.

Në qendër të fshatit gjejmë Gregor Pemaj, kryeplak i fshatit Obot i cili rrëfen dëmet që janë shkaktuar nga përmbytja.

Në rast se shkarkimet nga hidrocentralet vazhdojnë atëherë banorët thonë se rrezikojnë të përmbyten edhe banesat e tyre.

Fshati Obot në njësinë Ana e Malit sa herë ka përmbytje është ndër më të rrezikuarit qoftë për tokat bujqësore por edhe për banesat. Edhe në përmbytjet masive në vitin 2010 është ndër fshatrat më të dëmtuar.