Në vijim të monitorimit të situatës nga bashkitë, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse, gjendja në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.
Në territorin e Bashkia Shkodër, situata mbetet e pandryshuar. Në fshatin Obot niveli i ujit arrin rreth 40 cm, por nuk konstatohet zgjerim i sipërfaqeve të tokave bujqësore të përmbytura. Në zonë janë në gatishmëri 6 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 mjet me kalueshmëri të lartë për mbështetje të komunitetit në rast nevoje.
Ndërkohë, në Bashkia Vau i Dejës, Bashkia Malësi e Madhe, Bashkia Pukë dhe Bashkia Fushë-Arrëz, situata paraqitet e qetë dhe pa problematika apo emergjenca të raportuara.
Sipas të dhënave nga DRUK Lezhë, niveli i lumit Drin është 7.70 m, ndërkohë që kuota kritike është 10.00 m. Në pikën matëse Ura e Bunës (Pazar), niveli i ujit rezulton 7.70 m nga 9.50 m që është kuota kritike. Nuk raportohen probleme në kanalet kulluese apo në argjinatura.
Sa i përket akseve rrugore, pas një pune intensive gjatë natës është bërë zhbllokimi i zonës së bllokuar nga ortekët. Vijon puna për pastrimin e segmentit Qafë Thore – Theth, ndërsa ka nisur edhe lëvizja e mjeteve nga Thethi drejt Bogës. Strukturat përkatëse po punojnë për kriposjen dhe zgjerimin e pjesës kaluese të rrugës. Temperaturat e ulëta krijojnë kushte më të sigurta për kalimin në zonat me rrezik ortekësh, ndërsa aksi monitorohet vazhdimisht.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon monitorimin në terren për të garantuar menaxhimin e situatës.

Artikulli paraprakMBAHET SEANCA PËR KRYEBASHKIAKUN E VAUT TË DEJËS! SPAK KËRKON 27 DËSHMITARË
Artikulli tjetërPERAGINE MESAZH URIMI PËR BESIMTARËT MYSLIMANË