Më shumë se 200 mijë tonë mbetje mjekësore, kryesisht plastike, janë grumbulluar në mbarë botën si rezultat i pandemisë së koronavirusit, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).

Sipas vlerësimeve të OBSh-së, miliarda vaksina që nga fillimi i pandemisë kanë gjeneruar të paktën 144 mijë tonë gjilpëra, shiringa dhe kontejnerë grumbullimi të përdorura për to.

Për më tepër, vetëm midis marsit 2020 dhe nëntorit 2021, Kombet e Bashkuara dërguan 87 mijë tonë veshje sanitare mbrojtëse. “Testet që janë përdorur për koronavirusin përmbajnë deri në 2 mijë e 600 tonë mbeturina shtesë dhe 731 mijë litra mbetje kimike. Maskat mbrojtëse për përdorim privat nuk janë përfshirë në vlerësime”, tha OBSH.

“COVID-19 e ka detyruar botën të merret me boshllëqet dhe aspektet e neglizhuara të rrjedhës së mbetjeve dhe mënyrën se si ne i prodhojmë, i përdorim dhe hedhim poshtë”, deklaroi Maria Neira, përgjegjëse për mjedisin, ndryshimet klimatike dhe shëndetin në OBSh.

Edhe para pandemisë, OBSh paralajmëroi se një e treta e të gjitha objekteve shëndetësore nuk ishin në gjendje të asgjësonin siç duhet mbetjet e tyre.