
Shqipëria ka boshllëqe të mëdha në politikat e inteligjencës artificiale (IA) për shëndetësinë, tregon një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që trajton përfitimet që kanë shërbimet shëndetësore nga përdorimi i IA.
Sipas OBSH-së, Shqipëria renditet ndër vendet me përparime minimale në ndërtimin e një kuadri të sigurt dhe funksional për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në shëndetësi. Dokumenti thekson se, ndërsa vendet e tjera po avancojnë me politika, certifikime dhe mekanizma mbrojtës për pacientët, Shqipëria ka vetëm një element të dokumentuar të këtij kuadri.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka zbatuar vetëm procesin e certifikimit të sistemeve të AI në shëndetësi, një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm për ndërtimin e besimit në teknologjitë që po transformojnë shërbimet mjekësore. Të gjitha fushat e tjera të vlerësuara nga OBSH rezultojnë pa politika ose procedura zyrtare.
Konkretisht, vendi nuk ka rregulla për prokurimin, zhvillimin ose përdorimin e sistemeve të AI në mjekësi, nuk ka politika që trajtojnë ndikimin e teknologjive në mjedis dhe nuk ekzistojnë mekanizma për auditimin dhe dokumentimin e rreziqeve që AI mund të sjellë për pacientët. Po ashtu, qytetarët dhe profesionistët e prekur nuk kanë një rrugë të përcaktuar ligjore për të paraqitur ankesa në rast të dëmtimit nga një sistem i AI.
Raporti vëren gjithashtu se Shqipëria ka kryer vetëm hapin e parë të angazhimit, konsultimin me palët e interesit, por mungon progresi në fushat më të rëndësishme për ndërtimin e kapaciteteve të profesionistëve. Vendit i mungojnë programet e trajnimit për aftësi në AI për personelin shëndetësor, si para punësimit, ashtu edhe gjatë shërbimit. Po ashtu mungojnë role profesionale të specializuara në shkencën e të dhënave apo inteligjencën artificiale për sektorin e shëndetit.






