Kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus i ka kërkuar Kinës që të jetë më bashkëpunuese në hetimin e fazës së dytë që do të organizojë OBSH me qëllim gjetjen e origjinës së virusit. Ai bëri thirrje që Kina të tregohet më transparente.

Gjatë një deklarate kreu i OBSH është shprehur se kanë nevojë për të dhënat e pacientëve përpara dhe pas prekjes nga koronavirusi. Sipas tij Kina nuk i ka ndarë këto të dhëna në fazën e parë të hetimit të origjinës së COVID-19.

“Ne i kërkojmë Kinës që të jetë transparente dhe e hapur, si dhe të bashkëpunojë”, u shpreh Dr. Tedros.

Faza e parë e hetimit të OBSH përfundoi në shkurt të këtij viti. Nga përfundimet e fazës së parë rezultoi se virusi nuk kishte dalë nga laboratorët e Wuhan, Kinë aty ku edhe u zbuluar rasti i parë më COVID-19.

Skenari më i mundshëm i origjinës së virusit rezulton që ai të ketë kaluar nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër ose drejtpërdrejtë nga lakuriqët e natës tek njerëzit.

Por pas këtyre përfundime kreu i OBSH ka thënë se nevojiten hetime të tjera për ta zbuluar origjinën e virusit për tu futur kështu ne një fazë të dytë të hetimeve.