Kërkesa publike që ka bërë biznesmeni Safet Gjici, njëkohësisht presidenti i klubit të Kukësit, për të marrë Vllaznisë, ka dhënë një impakt në Shkodër, por edhe në opinionin sportiv në vend. Lëvizja e tij drejt Shkodrës, në prag të kampionatit, do të sillte të tjera lëvizje në merkato, kuptohet shumë firo nga Kukësi dhe afrime te Vllaznia. Por kjo është një çështje tjetër, sepse ende nuk ka asgjë zyrtare.

Tifozëria shkodrane dje dhe sot kryefjalë ka propozimin e Zotit Gjici për të investuar te Vllaznia, te skuadra e zemrës së tyre. Në përgjithësi, madje përfshi edhe drejtorin sportiv Grima, janë pro ardhjes së Gjicit në krye të Vllaznisë, duke e argumentuar me faktin se nën administrimin e Bashkisë Shkodër, Vllaznia jo vetëm nuk ka fituar asgjë, por as në Europë nuk po merr më pjesë, madje duke rrezikuar shumë edhe qëndrimin në Superiore. Në këto kushte, tifozët kuqeblu besojnë se një biznesmen si Gjici, që në krye të Kukësit ka bërë mrekullira, mund ta ringrejë Vllazninë në majë, aty ku të gjithë shkodranët duan. Në rrjetet sociale ka pro dhe kundër, por në një pikë bashkohen të gjithë, që vetëm me buxhetin e Bashkisë Shkodër, Vllaznia nuk mund të jetë kurrë në nivele të larta. Tifozët shkodranë bëjnë krahasime me buxhetin e Skënderbeut, Partizanit, Flamurtarit, Tiranës dhe me Kukësin. Ata shohin shumë disnivel me Vllazninë e tyre, prandaj kërkojnë afrimin e një njeriu të shëndoshë financiarisht, si Zoti Gjici, i cili i ka dhënë provat në krye të Kukësit që di të jetë i suksesshëm. Shkodra duket se do të jetë epiqendra e lajmit sportiv për disa ditë.

Artikulli paraprakSEZONI TURISTIK, KANË MARRË SHËRBIM SHËNDETËSOR 1 MIJË PUSHUES
Artikulli tjetërMIQËSORE, INTER SHKËLQEN ME SHQIPTARIN MANAJ