Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar nismën ‘Ballkani i Hapur’ siç u pagëzua ‘minishengeni’ në takimin e 29 korrikut në Shkup mes 3 kryeministrave atë të Shqipërisë Edi Ramës, atij serb Aleksandër Vuçiç dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Kurti tha se kjo nisëm nuk mund të jetë një ‘Ballkan i hapur’ por më shumë ngjan me një ‘Ballkan të ndikuar nga influencat ruse dhe kineze’.

Kosova nuk mori pjesë në takimin e 3 liderëve në Shkup, pasi ashtu siç thekson Kurti nuk mund të ketë një treg të përbashkët për vendet e rajonit, pa pasur një ballafaqim të Serbisë me të kaluarën e saj.

“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha Kurti për mediat në Kosovë.

I pyetur për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, ku raportet mes tij dhe Ramës nuk janë gjithmonë në gjendjen e tyre më të mirë, Kurti tha se marrëdhëniet e dy popujve janë vëllazërore dhe nuk janë në dorë të kryeministrave, pasi ato thjeshtë përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.

“Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi që të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve”, tha Kurti.

Më 29 korrik në Shkup u takuan kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Të tre liderët ftuan vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës së “minishengenit”, që u pagëzua me emërtimin e ri “Ballkani i Hapur” dhe ka si qëllim të krijojë një treg të përbashkët për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në takim përveç emrit të ri të ‘minishengenit’ u firmosën edhe 3 marrëveshje lidhur me qarkullim e lirë në tregun e punës, eliminimi i barrierave për importin dhe eksportin e mallrave si dhe mobilizimin e të tria vendeve në rast të katastrofave natyrore.

3 marrëveshjet e firmosura

1. Marrëveshja për mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballimit të katastrofave natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre për të ndihmuar.

2. Marrëveshje mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Kjo do të eliminojë barrierat dhe do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë së vendeve.

3. Marrëveshje për qarkullim e lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.