Kryeministri Edi Rama thotë se me nismën ‘Balkani i Hapur’ synohet një treg i përbashkët Rajonal, ku sipas kreu të qeverisë do të rritet me 6.7 % prodhimi i përgjithshëm shqiptar. Rama tha se në këtë nismë nuk ka lidhje as Jugosllavia e re dhe as Rusia apo Kina. Po ashtu kreu i qeverisë shqiptare shtoi se Kosova humbet duke munguar në atë tryezë.

‘Ju thoni se Serbia nuk ka kërkuar ndjesë. Unë ju them se jo sipas meje apo qeverisë Shqiptare, por sipas institucioneve financiare shqiptare, ne duam një treg të përbashkët Rajonal ku të zbatohet 4 liritë themelore të BE-së. Nga ky bashkëpunim mund të arrijmë në 6.7% rritje të prodhimit të përgjithshëm shqiptar. Si mund ta privojmë veten nga kjo. Ne po synojmë të gjejmë burime të reja rritje ekonomike dhe mos të bazohemi vetëm tek këto burime. Një nga burimet e rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal.

Se ku hyn Jugosllavia e re unë nuk e gjej dot. Është një hapësirë ku ne duam dhe unë synoj zbatimin e 4 lirive të BE-së. Ky është një krahasim absurd një lojë fjalësh për të çuan nismën që për mua është interes kombëtar, interes publik. Se si mund të jetë një vizion rus apo kinez i procesit të Berlinit unë nuk e di. Unë di që Ballkani i Hapur është brenda procesit të Berlinit. Kosova humbet duke munguar në atë tryezë. Historia tregon se ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike është përdorur në histori si një katalizator për të zgjidhur çështje politike.’- tha Rama.