Policia spanjolle, shqiptare dhe ajo gjermane, janë bërë bashkë për finalizimin e operacionit të koduar “DOBRA”, ku në pranga janë vendosur plot 107 persona, pjesë e të cilëve dhe shqiptarë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në një konferencë të hapur në Spanjë, ka treguar se policia shqiptare ka qenë prezente që në fillimet e hetimeve. Ai tha ndër të tjera, se hapi i radhës do të jetë identifikimi dhe investigimi i pasurive të këtyre shtetasve në Shqipëri, në mënyrë që të paralizohet më tej veprimtaria kriminale.

“Mirëdita të gjithëve! Siç e përmendën edhe kolegët parafolës, për gati një vit pune të gjatë investiguese dhe hetimore tashmë është bërë i mundur finalizimi i këtij operacioni të madh ndërkombëtar. Edhe policia shqiptare si pjesë përbërëse në finalizimin e këtij operacioni, ka qenë e përshirë që në momentet e para duke ndihmuar me shkëmbimin e informacionit për shtetasit shqiptar të përfshirë. Duke iu mundësuar kolegëve spanjoll thellimin e hetimeve, ashtu dhe në veprime konkrete në ditët e vazhdimit dhe finalizimit të operacionit me oficerë nga Shqipëria.

Kjo vërteton që policia shqiptare është e pjekur jo vetëm profesionalisht, por është dhe një partner i besueshëm për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, për të bërë të mundur goditjen e krimit të organizuar në të gjitha vendet që ka të përfshirë shtetas shqiptar. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me ndalimin e operacionit në këtë stad, por do të vazhdojmë në vendin tonë për të identifikuar dhe investuar të gjitha pronat që kanë ardhur nga rezultat i këtij veprimtarie kriminale për të gjithë shtetasit e përshirë. Duke goditur dhe në pjesën ekonomike i japim një goditje të fortë këtij grupi kriminal, duke e paralizuar atë.

Ky është operacioni i parë i përbashkët që zhvillojmë me kolegët tanë spanjoll, unë besoj dhe shpresoj që do ta vijojmë dhe në të ardhmen operacione të tilla të përbashkëta. Suksese”, tha Veliu.

Kujtojmë se në kuadër të operacionit të koduar “DOBRA”, u kryen kontrolle në 51 ambiente në Madrid të Spanjës, nga të cilat u zbuluan 23 plantacione/shtëpi bari. Po ashtu mësohet se u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj.