Operacioni “Triss” ,kapen gjysmë toni hashash

500 kilogramë hashash i sekuestruar dhe pesë persona në pranga. Ky është bilanci i operacionit të koduar “Triss” i Policisë së Durrësit. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës dhe Shijak, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë ushtruar kontrolle në tre automjete të ndryshme. I pari është ndërmarrë në vendin e quajtur”Kthesa e Ariut” në Kullë, i dyti në fshatin Hasan të Fushë- Krujës dhe i treti tek “4 Rrugët” në Shijak. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Fiat AA 473 GA, me drejtues shtetasin T.D., mjetin tip Audi me targa AA 682 ES, me drejtues shtetasin Adem Laze, mjetin tip Benz me targa AA 579 GA, me drejtues shtetasin Elisar Barashima dhe pasagjer shtetasin Mustafa Sala dhe mjetin tip Benz me targa AA 036 OS me drejtues shtetasin Gjon Syziu dhe pasagjer shtetasin Tanush Rica, u gjetën dhe sekuestrua në cilësinë e provave materiale: 500 kilogram hashash, 12 celularë si dhe mjetet me të cilat po lëviznin këta shtetas. Policia ka arrestuar në flagrancë pesë prej këtyre shtetasve, konkretisht Adem Lazen 47 vjeç , banues në Xhafzotaj, Durrës, Elisar Barashima 29 vjeç, banues në Kurcaj, Fushë-Krujë, Mustafa Sala, 22 vjeç, banues në Hasan, Fushë- Krujë, Gjon Syziu 23 vjeç, banues në Mirditë dhe Tanush Rica, 23 vjeç, banues në Rrëshen. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet T.D. dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Dyshohet se në të tre rastet, destinacioni i drogës ishte Italia.